FGJK përfaqëson Kosovën në Slloveni
Nga 8 deri më 13 qershor 2026, Federata e Gjimnastikës e Kosovës me ekipin e tij të parë mori pjesë në garën ndërkombëtare Salamunov Memorial 2026, në Maribor të Sllovenisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 200 gjimnaste nga dhjetëra vende të Europës. Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe gjashtë ekipe kombëtare: Sllovenia, Belgjika, Kroacia, Irlanda, Polonia dhe Kosova.
FGJK u përfaqësua nga selektorja Doruntinë Ibrahimi, trajneri Arlind Shaqiri, gjimnastet Sara Pllana, Rea Berisha, Fernaze Cakaj, Hira Haziri dhe Borë Krasniqi. Pjesë e ekipit këtë vit është edhe fizioterapeutja Elmira Gërguri.
Sara Pllana ka arritur të kualifikohet në finale në dy disiplina, në tra dhe kapërcime, ndërsa paraqitje të mirë realizoi edhe Hira Haziri në shumë garësh.
FGJK e përfundoi me sukses pjesëmarrjen në garën Salamunov Memorial 2026 në Slloveni, duke fituar medaljen e argjendtë në finalen e kapërcimeve me gjimnasten Sara Pllana.
Po aq inkurajuese ishte edhe paraqitja e Sarës në finalen e traut, ku pavarësisht një rrëzimi gjatë hyrjes ajo arriti rezultatin 11.350 pikë dhe u rëndit në vendin e katërt.
Performanca në tra ishte një nga pikat më pozitive të kësaj gare dhe një sinjal i mirë për garat e ardhshme.
Falenderojmë trajnerët Doruntinë Ibrahimi dhe Arlind Shaqiri për përkushtimin e tyre në arritjen e këtij rezultati.
Urime Sarës dhe të gjith ekipit për rezultatet dhe paraqitjen e shkëlqyer në këtë garë.







