Fiona Konxheli bëhet gjyqtarja e parë e Kosovës e Gjimnastikës Ritmike
Federata e Gjimnastikës së Kosovës njofton se znj. Fiona Konxheli ka përfunduar me sukses Kursin Ndërkombëtar për Gjyqtarë të Gjimnastikës Ritmike – International Judges Course (XVII Cycle), të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG).
Me kalimin me sukses të provimit zyrtar, të mbajtur më 11 shtator 2025, znj. Konxheli është certifikuar si Gjyqtarja e parë Ndërkombëtare e Federatës së Gjimnastikës së Kosovës në disiplinën e Gjimnastikës Ritmike, me të drejtë gjykimi në gara ndërkombëtare të organizuara në nivel global.
Kursi u zhvillua në Budva, Mal i Zi, nga data 9–12 shtator 2025, duke përfshirë program intensiv me ligjërata teorike dhe ushtrime praktike.
Ky certifikim përbën një arritje të rëndësishme për zhvillimin e gjimnastikës ritmike në Kosovë dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të Federatës së Gjimnastikës së Kosovës.





